Kryeinspektorja e IKMT: PD-së i ka mbetur vetëm balta

22/08/2016 00:00

Kryeinspektorja e IKMT ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënëses së Partisë Demokratike që e cilësonte atë një “kukull” të kryeministrit Rama. Në reagimin e saj, Dallëndyshe Bici ka deklaruar se, PD-së i ka mbetur vetëm balta.

“Në cilësinë e kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit hedh poshtë me neveri deklaratën denigruese, shpifëse dhe të turpshme të Partisë Demokratike në adresën time! Është e turpshme deri në kufijtë e të pabesueshmes që një parti politike të denigrojë publikisht me akuza të sajuara dhe me gjuhën më të ulët të mundshme një grua dhe drejtuese të një institucioni që flet me punë, fakte, shifra në një front tepër të vështirë. Turp për Partinë Demokratike! Turp për Lulëzim Bashën! Keqardhje për zëdhënësen e Partisë Demokratike që pranon të lexojë publikisht një çarçaf të tërë balte ndaj një gruaje dhe drejtueseje të një institucioni”, ka deklaruar Bici.

Sipas saj, “është qesharake që sot Partia Demokratike pretendon se paska një vendim prishjeje për një pallat në vitin 2010”.

“Ndërkohë që zoti Basha, autori i çarçafit të baltës që ishte kryetar bashkie nga viti 2011 deri në vitin 2015, jo vetëm nuk e paska ekzekutuar këtë vendim, por tani më akuzon mua për një objekt të legalizuar sipas ligjit dhe ku po kryhen punime me dokumentacion ligjor”, shton Bici.

Ajo thotë më tej se, “IKMT ka kryer detyrën edhe pas denoncimit të zotit Basha, ashtu si të çdo qytetari dhe ka rezultuar se pretendimi i ish-kryetarit të bashkisë nuk ka asnjë bazë ligjore”.

“Unë i them zotit Basha dhe gjithë zëdhënësve të tij se sulmet e tyre të ulëta, shpifjet e tyre ekstreme dhe balta e tyre e shpifur nuk më lëkundin aspak në kryerjen me përgjegjësi të detyrës time”, ka vijuar Bici.

Top Channel