Burg për autorin e masakrës së Palasës

19/08/2016 13:10

Gjykata e Vlorës dha masën e arrestit me burg për Jorgos Zanin, autorin e masakrës në Palasë, ngjarje që tronditi opinionin publik.

Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura bëhet e ditur se Zani nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me ngjarjen. Ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë ka deklaruar se i akuzuari e ka pranuar autorësinë e krimit dhe se gjatë kohës që është marrë në pyetje rrinte duke qeshur.

Ndërsa në momentin kur policia ka hyrë në banesën e tij për ta arrestuar, ai i është kundërpërgjigjur duke i gjuajtur me thika dhe hanxharë, që i kishte përdorur më parë për masakrimin e 12-vjeçarit. Për këto arsye pritet që ndaj tij të kryhet edhe një ekspertizë psikike, e cila është urdhëruar nga Prokuroria e Vlorës për të përcaktuar përgjegjshmërinë ose jo të vrasësit për veprimet që ka kryer.

Nëse eskpertiza psikike do ta nxjerrë të papërgjegjshëm mendërisht, atëherë hetimi për këtë ngjarje pritet të shtrihet edhe tek mjekët e spitalit psikiatrik të Vlorës, të cilët e kanë trajtuar 30-vjeçarin Zani me diagnozën e “çrregullimeve të personalitetit si pasojë e konsumit të lëndëve narkotike dhe e kanë lejuar të dalë sërish nga spitali me firmën e të atit.

Derisa të dalë përgjigjja e ekspertizës psikike, Jorgos Zani do të mbahet në ambientet e paraburgimit të Vlorës, por në një vend të veçantë nga të ndaluarit e tjerë. 

30-vjeçari Jorgos Zani masakroi një 12-vjeçar, me të cilin kishte edhe lidhje gjaku. Pas vrasjes së të miturit, Zani ka vazhduar me dhunimin e trupit të tij, duke i prerë kokën.

Minoreni banonte në Greqi dhe kishte ardhur për pushime në Palasë tek gjyshja. Autori i këtij krimi në fshat njihet si person me probleme mendore. Sipas policisë, ai është ndaluar ndërsa vazhdonte të dhunonte kufomën e adoleshentit, edhe pasi ai kishte ndërruar jetë.

“E kemi çuar edhe në çmendinë disa herë dhe e kanë nxjerrë. Ka qëndruar nja 5 ditë dhe e kanë nxjerrë. Shqetësime në fshat sillte se ishte i sëmurë”, thotë një i afërm.

30-vjeçari Zani ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës në muajt tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, i kuruar për diagnozën “çrregullime të theksuara personaliteti” për shkak se ka qenë përdorues i lëndëve narkotike.

Top Channel