Ish-kreu i PD: Nuk e mbështes Sherefedin Shehun

16/08/2016 00:00

Në garën e Dibrës, kandidati i opozitës nuk do të ketë me vete në fushatë ish-kryetarin e degës lokale, Rrahim Kaleci, i shkarkuar në prill, kur kryesia e Partisë Demokratike vendosi të ristrukturonte degën.

“Jam një anëtar i thjeshtë i Partisë Demokratike. Theksoj që vota ime shkon për kandidatin e Partisë Demokratike, por unë nuk do të marr përgjegjësi për drejtimin e fushatës. Në këto kushte, edhe për të hedhur poshtë të gjitha akuzat që janë nxitur nga segmente të caktuara të Partisë Demokratike, jo vetëm nga dashakeqës, unë kam vendosur që këtë radhë të mos jem në Dibër. Do të shkoj vetëm për të votuar”, thotë Rrahim Kaleci, ish-kryetari i Degës së Dibrës së PD-së.

Rrahim Kaleci tregon versionin e tij përse ka vendosur të mos bëjë fushatë për Sherefedin Shehun.

“Një vit më parë, Partia Demokratike humbi zgjedhjet lokale në Dibër dhe unë mendoj që arsyet janë të lidhura me kandidatin, pasi ai kandidonte për herë të katërt. Shumë nga drejtuesit e Partisë Demokratike mes tyre, edhe kandidati aktual Sherefedin Shehu ishin të mendimit se ishte përgjegjësia ime personale për humbjen”, sqaron Kaleci.

Vendimi për të mos marrë pjesë në fushatë është shoqëruar me akuza publike për blerje nga kundërshtari, por Rrahim Kaleci ka vendosur që të ngrejë padi kundër tyre.

“Do të përballen me kallëzimin që unë do të depozitoj pranë Prokurorisë së Tiranës, por edhe një padi civile në Gjykatën e Tiranës”, shprehet ai.

Partia Demokratike hyn në zgjedhjet e Dibrës pa përfunduar ristrukturimin e degës lokale. Por a është ky një faktor negativ për rezultatin?

“Do të ndikojë. Megjithatë, njerëzit në Dibër kanë mençurinë që të mos dëgjojnë asnjërën dhe as tjetrën palë, por do të vendosin vetë”, deklaroi Kaleci.

Top Channel