Podolski lë kombëtaren gjermane si Schweinsteiger

15/08/2016 00:00

Pas Bastian Schweinsteiger, është Lucas Podolski ai që i jep fund karrierës me përfaqësuesen gjermane. Futbollisti, fitues i Kupës së Botës në Brazil në vitin 2014 e bëri të ditur vendimin e tij nëpërmjet një mesazhi në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”.

“Faleminderit, tifozë! 129 ndeshje në 12 vjet. Ka qenë diçka madhështore dhe e mrekullueshme, ka qenë një nder”, ishte mesazhi i Podolskit.

Më pas 31-vjeçari në “Instagram” bëri të ditur se vendimin për të lënë përfaqësuesen ia kishte bërë të ditur trajnerin Joachim Loew pasi tani ai dëshironte që t’i dedikonte më shumë kohë familjes së tij.

Ndeshja e fundit që Podolski luajti me fanelën e Gjermanisë ishte sfida e 1/8 të finaleve të Euro 2016 ndaj Sllovakisë e fituar nga 4 herë kampionët e botës me rezultatin 3-0. Podolski ka lindur në Poloni, por familja e tij emigroi drejt Gjermanisë kur ai ishte vetëm 2 vjeç.

Futbollisti u formua te skuadra e Këlnit ku nisi edhe karrierën e tij si  profesionist. Ai është aktivizuar në skuadra të tilla si Bajerni i Mynihut, Arsenali, Interi, ndërkohë që aktualisht ai është pjesë e Gallatasarajit.

Podolski debutoi me përfaqësuesen gjermane në vitin 2004 në një miqësore me Hungarinë. Në 129 ndeshje të zhvilluara me Gjermaninë, Podolski ka arritur të shënojë 49 gola.

Top Channel