Akuzat për gjykatësin e Strazburgut, qeveria: Po ndiqen të gjitha procedurat

13/08/2016 00:00

Qeveria shqiptare, përmes portalit transparenca.al i është përgjigjur akuzave të PD lidhur me emërimin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Përmes një njoftimi online, qeveria sqaron se, ndryshe nga praktika e qeverisë Berisha, “e cila e emëroi gjyqtarin Ledi Bianku pa ndjekur asnjë procedurë dhe në fshehtësi të plotë”, këtë herë po veprohet në respekt të procedurave dhe në transparencë të plotë.

“Ndryshe nga kjo praktikë, me qëllim ndjekjen e procedurave sa më demokratike dhe transparente në këtë proces përzgjedhjeje, bazuar gjithashtu në standardet e vendosura në Udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, qeveria shqiptare publikoi më datë 18 korrik 2016 thirrjen për aplikim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, numër 23, në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe në media”, thuhet në reagimin zyrtar.

Gjithashtu, vijohet në të, për përzgjedhjen e kandidatëve sa më të përshtatshëm, profesionalë, me integritet, apolitikë dhe në mënyrë transparente, u ngrit një komision konsultativ ad-hoc me anëtarë që gëzojnë përvojë të konsiderueshme profesionale.

“Ata janë përfaqësues të institucioneve të pavarura apo akademikë të shquar, duke shmangur kështu çdo mundësi për ndikim politik në këtë proces”, sqaron më tej qeveria.

Përsa i përket procesit të vetingut, i propozuar nga PD edhe për këtë rast, njoftimi sqaron se, komisioni po zbaton dhe po vlerëson kandidaturat në përputhje jo vetëm me kriteret e thirrjes për aplikim, por edhe me parimet që qëndrojnë në themel të procesit të vetingut, “të cilat lidhen me çështje të kompetencave profesionale, verifikimin e deklarimit të pasurisë dhe integritetin”, përfundon njoftimi për shtyp.

Top Channel