Rio, Thaçi u kërkon Brazilit, Argjentinës dhe Sllovakisë ta njohin Kosovën

07/08/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar takimet me presidentë dhe udhëheqës shtetërorë gjatë qëndrimit të tij në Rio de Janeiro të Brazilit.

Siç njofton zyra e Presidentit, Thaçi ka takuar zëvendëspresidentin e Brazilit, Michel Temer, të cilin e ka falënderuar për pritjen e ngrohtë që i ka bërë përfaqësuesve kosovarë në Brazil.

Në takimin me Michel Temer, presidenti Thaçi ka kërkuar që të ruhen kontaktet ndërmjet dy shteteve dhe të ndërtohet bashkëpunimi në fusha të ndryshme me interes të ndërsjelltë.

Gjatë qëndrimit në Rio, presidenti Thaçi ka takuar edhe presidentin e Argjentinës, Mauricio Macri. Edhe me homologun e tij argjentinas, presidenti Thaçi ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, duke kërkuar që të gjenden forma të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Në Brazil, presidenti Thaçi ka takuar po ashtu edhe homologun nga Sllovakia, Andrej Kiska. Ai ka thënë se Sllovakia e mbështet të ardhmen europiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Të gjithë përfaqësuesit e këtyre shteteve, presidenti Thaçi i ka ftuar që t’i bashkohen 112 shteteve të botës, që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Më herët, presidenti Thaçi ka takuar edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, presidentin francez François Hollande dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi.

Top Channel