Partizani, Sormani: Ndaj Salzburgut si një finale

03/08/2016 00:00

Partizani zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Salzburgut ku të mërkurën në mbrëmje do të luajë ndeshjen e kthimit të raundit të tretë eliminator në Champions League.

Skuadra e kuqe zbriti në tapetin e gjelbët të kompleksit modern “Red Bull Arena” nën urdhrat e trajnerit Sormani. Përveç Realdo Kalarit pjesa tjetër e grupit ishte e plotë.

Ajo që u vu re në seancën stërvitore ishte aplikimi i goditjes së 11-metërshave pasi trajneri Sormani beson se kjo ndeshje mund të caktohet edhe nga lotaria e penalltive. Në konferencën për shtyp, trajneri italian nuk u zhbalancua, duke preferuar të përqëndrohet vetëm te ndeshja. Sormani shtoi se kjo ndeshje për të është si një finale, ashtu si çdo përballje tjetër.

Ai shtoi se do të jetë një sfidë e vështirë ndaj një kundërshtari të fortë dhe lojtarët e kuq duhet të tregjnë vlerat e tyre në fushën e blertë. “Kualitetet që kundërshtari ka në skuadër do të na detyrojnë të marrim masat në mbrojtje, por kjo nuk do të thotë të mos tentojmë të shënojmë , pasi në takimin e parë treguam se shanset tona për shënim ishim të shumta”, shtoi Sormani. Më pas fjalën e mori Lorenc Trashi, sipas të cilit, Partizani është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por asgjë nuk është e pamundur.

“Do të dhurojmë të njëjtën paraqitje si në takimin e parë dhe besojmë se do të mund të shfaqemi të barabartë në fushë ndaj një ekipi mjaft cilësor”, përfundoi deklaratën lojtari i skuadrës kryeqytetase.

Top Channel