Francë, dy të arrestuar në lidhje me vrasjen e priftit në kishë

01/08/2016 00:00

Pasi u vunë formalisht nën hetim, në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vrarë një prift në një kishë të Normandisë, dy persona janë arrestuar nën dyshimet për “lidhje terroriste” dhe për tentativa për të udhëtuar drejt Sirisë.

Bëhet fjalë për kushëririn e njërit prej dy adoleshentëve terroristë që kryen aktin barbar, Abdel Malik Petitjean, 30-vjeçarin Farid K., si dhe për një tjetër person të identifikuar si Jean-Philippe Steven J., 20 vjeç, i cili kishte tentuar të shkonte në Siri së bashku me Petitjean gjatë qershorit.

Petitjean, 19 vjeç, si dhe bashkëpunëtori i tij Adel Kermiche, edhe ky i së njëjtës moshë, u qëlluan për vdekje nga forcat e policisë që mbërritën në vendin e krimit, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën priftit, të cilit dy agresorët i kishin prerë fytin.

Ata kishin hyrë gjatë një meshe në kishën e Saint-Etienne-du-Rouvray, pranë Rouenit në provincën e Normandisë, të martën e kaluar, morën disa besimtarë pengje dhe ekzekutuan At Jacques Hamel, 86 vjeç.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se dy të arrestuarit gjatë së dielës janë në paraburgim tashmë. Ky zhvillim nga ana e hetuesve vjen vetëm pak pasi myslimanët anembanë Francës morën pjesë në një meshë katolike, në shenjë solidariteti pas vrasjes së priftit të njohur.

Këshilli mysliman i Francës (CFCM) u bëri thirrje myslimanëve që të tregonin “solidaritet dhe dhembshuri” për këtë vrasje makabre.

Përgjegjësinë e këtij sulmi e mori përsipër i ashtuquajturi Shtet Islamik, i cili publikoi në median e saj edhe një video ku shfaqeshin dy adoleshentët që i premtonin besnikëri grupit xhihadist.

Petitjean kishte qenë në listën e vëzhgimit të forcave të sigurisë, si një rrezik potencial për sigurinë e vendit, që prej muajit qershor, pasi kishte tentuar të shkonte për në Siri përmes Turqisë. Edhe Adel Kermiche ishte i njohur për shërbimet franceze të sigurisë, madje njëri prej tyre mbante ende një byzylyk elektronik, në momentin e aktit makabër pas të cilit mbetën të dy të vdekur.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel