Kosovë, Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët në mërgim

21/07/2016 00:00

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur këtë të enjte dyert për të gjithë bashkatdhetarët, të cilët aktualisht gjenden për pushime në Kosovë, duke u mundësuar atyre që të vizitojnë mjediset e institucionit më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të vendit, si dhe të takohen me deputetët.

Gjatë vizitave, bashkatdhetarët janë njohur nga afër me ambientet e punës në Kuvend, detyrat dhe mënyrën e funksionimit të tij, si dhe janë takuar me deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare.

Në këtë aktivitet tradicional të hapjes së dyerve të Kuvendit, kryetari Veseli tha se i sheh bashkatdhetarët si faktor tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

“Bashkatdhetarët jetojnë me ne, me arritjet tona, vështirësitë dhe sakrificat tona. Jetojnë me shpirt në Kosovë dhe duan ta shohin Kosovën të zhvilluar e të përparuar. Propozimet dhe vërejtjet e tyre do të jenë pjesë e politikës shtetërore, që diasporën tonë ta kthejmë në njërin ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe integrimit europian të saj”, ka vlerësuar kryetari Veseli.

Hapjen solemne të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, e bëri kryetari i Forumit për transparencë parlamentare, deputeti Zenun Pajaziti. Duke i përshëndetur të gjithë mërgimtarët e pranishëm, Pajaziti tha se ky aktivitet, që mbahet për të dytin vit radhazi, organizohet sipas vullnetit të Kuvendit, por edhe kërkesës së vet mërgimtarëve.

Bashkatdhetarët, nga ana e tyre u shprehën të kënaqur që po u ofrohet mundësia të shohin nga afër ambientet e institucionit, ku diskutohen dhe merren vendimet më të rëndësishme për qytetarët, si dhe të takohen me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i cili po mbahet nën kujdesin e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe të Forumit për transparencë parlamentare, do të vijojë gjatë së premtes më 22 korrik, nga ora 10:00-16:00.

Top Channel