Lika: Do japim gjithçka për kualifikimin

21/07/2016 00:00

Kukësi është gati për sfidën e kthimit ndaj Austrisë së Vienës. Skuadra verilindore zhvilloi stërvitjen e fundit përpara sfidës kundër skuadrës austriake në ambientet e stadiumit Elbasan Arena aty ku ditën e sotme do të zhvillohet edhe ndeshja.

Besimi për një kualfikim të mundshëm në ruandin e tretë paraeliminator të Europa League është i madh në kampin e fituesve të Kupës së Shqipërisë dhe për ta kuptuar dicka mjafton të shohësh fytyrat e qeshura futbollistëve të Kukësit. Në konferencën tradicionale të shtypit trajneri Hasan Lika u shfaq optimist mbi mundësitë që skuadra e tij për të mposhtur Austrinë e Vienës dhe për tu kualifikuar për më tej.

“Jemi përgatitur mirë dhe në të gjitha mënyrat. Duam të kualifikohemi brenda 90 minutave por jemi gati edhe për shtesat ose penalltitë nëse do të jetë nevoja. Synojmë të shënojmë të paktën një gol por edhe të mos pësojmë”.

Humbja 1-0 në ndeshjen e parë ja vështirëson misionin Kukësit por pavarsisht kësaj Lika mendon se verilindorët kanë shanse të mira për tu kualfikuar kjo edhe për faktin se këtë herë luajnë në shtëpinë e tyre.

“Fakti që luajmë në fushën tonë do të thotë që kemi shumë shanse për të arritur kualifikimin, madje më shumë se kundërshtari. Në futboll duhet të jesh gjithmonë optimist por duhet të tregohesh edhe i kujdesshëm në të njëjtën kohë”.

Në pjesën e dytë të takimit të parë që u zhvillua në Ersnt Happel Stadion të Vienës, Kukësi u paraqit shumë mirë. Nga ai fraksion loje do të kërkojnë
të nisen verilindorët në sfidën e Elbasan Arenas. Trajneri 56-vjecar e vlerëson në maksimum kundërshtarin por nuk harron të nënvizojë se tashmë që Kukësi e njeh më mirë Austrinë e Vienës e di cilat janë pikat e dobta të tyre dhe kualifikimi është i mundur.

“E kemi analizuar kundërshtarin dhe tashmë i njohim më mirë ata. Duhet të luajmë ndeshjen tonë, ashtu sic Kukësi di të luajë pa patur frikë. E respektojmë kundërshtarin është një emër i madh por vlerat tregohen gjithmonën në fushën e lojës”.

Prania e tifozëve në stadium do të jenë vlera e shtuar e Kukësit në këtë sfidë. Sipas Hasan Likës rikthimi i fansave është një plus i madh për skuadrën e tij.

Top Channel