Cavendish braktis Turin e Francës

20/07/2016 00:00

Mark Cavendish braktis Turin e Francës pikërisht në momentin kur ky aktivitet po i afrohet fundit. Çiklisti britanik, që në këtë edicion të turit ka fituar 4 etapa, bëri të ditur se vendosi që të tërhiqej pasi dëshiron të përgatitet sa më mirë për Lojërat Olimpike të Rios që nisin më 5 gusht.

“Duke parë intensitetin e etapave të mëparshme të Turit të Francës, unë së bashku me drejtuesit e skuadrës arritëm në përfundimin se vazhdimi i garimit në këtë eveniment do të dëmtonte objektivin tjetër madhor timin, Lojërat Olimpike”, deklaroi Cavendish qw shtoi se “nuk ishte e lehtë për mua të bëja këtë zgjedhje, por unë nuk do të jem në Paris”.

Mark Cavendish e ka vendosur emrin e tij në librin e artë të Turit të Francës. Deri tani britaniku një specialist i sprinteve në garat çiklistike, ka shënuar 30 fitore etapash në karrierë në Turin e Francës duke u renditur në vendin e dytë pas legjendarit belg Eddie Merkxx.

Top Channel