Plotësohet kushti i PDIU; Hiqet nga drafti neni për diskriminimin gjinor

17/07/2016 00:00

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka zhvilluar të martën në mbrëmje, mbledhjen që mund të quhet edhe e fundit, para seancës të së enjtes.

Opozita nuk ka marrë pjesë, ndërsa anëtarët e mazhorancës ranë dakord në mënyrë unanime që të hiqen nga draft kushtetuta e propozuar, të gjitha nenet që nuk kanë të bëjnë me Reformën.

Mes tyre është dhe neni i shumë diskutuar dhe i kundërshtuar nga ana e PDIU-së, ai për diskriminim gjinor.

Si Xhafa edhe Vasili, në përfundim të mbledhjes u shprehën se të gjitha nenet dhe dispozitat që nuk kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, u vendosën që të hiqen nga Drafti dhe të shqyrtohen në një moment të dytë, pasi sipas tyre rëndësia dhe vëmendja kryesore është tek Reforma në Drejtësi.

Zoti Xhafa, por më pas edhe vetë zyra e kreut te Kuvendit, konfirmuan telefonatën që Ilir Meta kishte zhvilluar me komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn, i cili kërkoi garanci për miratimin e Reformës në Drejtësi këtë të enjte.

Top Channel