Mosha e Sanches, certifikata e lindjes shuan dyshimet

10/07/2016 00:00

Shuhen përfundimisht polemikat për moshën e Renato Sanches. Blerja më e re e Bayern Munchen është vërtet 18 vjeç dhe këtë e vërteton certifikata e tij e lindjes, e publikuar nga e përditshmja portugeze “Diario De Noticias”.

E gjithë kjo histori nisi nga një deklaratë e Gi Ru, i cili tha se Sanches nuk është regjistruar në kohë dhe se është 23-24 vjeç dhe jo 18 sa thuhet, një deklaratë kjo që gjeti përgënjeshtrimin e menjëhershëm. Në certifikatë theksohet se, Sanches është lindur më 18 gusht të vitit 1997 në spitalin “Amadora Sintra” dhe është regjistruar me emrin e të atit.

Ndërkaq, media portugeze bën të ditur se Sanches dhe familja e tij do të ndërmarrin masa ligjore ndaj Gi Ru, që ngriti këto dyshime e polemika për moshën e tij, ndërkohë që ai theu rekorde me kombëtaren, që më parë i takonin Cristiano Ronaldos.

Sanches u bë portugezi më i ri i grumbulluar me kombëtaren për të luajtur në fazën finale të një turneu të rëndësishëm. Më pas u bë shënuesi më i ri në historinë e përfaqësueses “luzitane”, në një ngjarje si “Euro 2016”. Pas ndeshjes me Uellsin, Renato Sanches vendosi një tjetër rekord, si futbollisti më i ri që luajti në një ndeshje gjysmëfinale të një Europiani.

Top Channel