Efekti i Europianit, shiten mbi 65 mijë fanella të kombëtares. Në shtator del e reja

28/06/2016 00:00

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Europianin e Francës ka qenë një nga publicitetet më të bukura që i është bërë futbollit dhe vendit tonë. Paraqitja sportive ishte aspekti kryesor që pati një jehonë ndërkombëtare, sikurse edhe tifozeria kuqezi, e cila u shndërrua në një model në periudhën më problematike të tifozëve në Europian.

Në rrugët e Francës dominonin, ashtu si dhe në Tiranë e kudo ku jetojnë shqiptarë, fanellat e përfaqësueses kuqezi.

“Kësaj radhe kemi pasur mundësi të shohim edhe fanellën tonë të ashtuquajtur ‘Triumf’, e cila është shitur në shifra realisht shumë të konsiderueshme. Deri më tani janë shitur rreth 50-55 mijë fanella, ndërsa 10 mijë bluza të tjera janë shitur në tregun shqiptar, në të cilin vëllimin më të madh e ka pasur FSHF-ja. Shifrat kanë qenë së paku mbi 10 herë mbi parashikimet”, tregon Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Por cili është rekordmeni i fanellave kuqezi të Europianit, apo idhulli i tifozerisë shqiptare?

“Nëse do të flasim për lojtarët, padyshim që kapiteni Cana ka qenë më i preferuari. Por kemi pasur edhe emra të tjerë si Xhaka, Agolli dhe Kaçe. Në shifra më të ulëta më pas vijnë pothuajse të gjithë lojtarët e tjerë”, thekson më tej Gazmend Malo.

Ndërkohë, vet Lorik Cana është edhe lojtari që ka shpërndarë më shumë fanella. Magazinieri Fatos Kademi sqaron se kapiteni kuqezi është rekordmen edhe në porositë private, pasi ka shpenzuar rreth 16 mijë euro vetëm për fanellat që ka shpërndarë në tri javët e Europianit të Shqipërisë.

“Më shumë bluza janë të Lorik Canës, rekord prej 200 fanellas. Më pas vijnë Agolli e Basha me nga 20, ndërsa në vijim janë edhe Sadiku, Balaj. Xhaka nuk ka porositur. Shumica kanë marrë fanella, por i kanë bërë porositë më herët sesa të fillonte Europiani”, thotë Fatos Kademi, magazinier i FSHF-së.

Një fanellë e tillë do të jetë edhe për pak kohë në treg. Fillimi i kualifikueseve të Botërorit të 2018-s do të sjellë një tjetër uniformë për kuqezinjtë, me një tjetër dizenjo, por për ta zbuluar atë do të na duhet të presim edhe pak muaj, ose më saktë do të na duhet të presim ndeshjen e parë me Maqedoninë në “Loro Boriçi”.

Top Channel