Rrëzimi i avionit, Turqia i kërkon ndjesë Rusisë

27/06/2016 00:00

Vonoi, por nuk harroi! Ndjesa turke për rrëzimin e avionit rus, nëntorin e vitit të kaluar në kufirin turko-sirian ka mbërritur përmes një mesazhi në Kremlin.

Mesazhi mban firmën e vetë Presidentit turk, Recep Taip Erdogan dhe përmbajtja e tij është bërë publike nga një zëdhënës i Presidentit Putin.

“Presidenti Erdogan i ka dërguar një mesazh Presidentit Putin ku shpreh simpatinë dhe ngushëllimet më të thella për familjen e pilotit që gjeti vdekjen nga rrëzimi i avionit”, tha zëdhënësi.

Turqia refuzoi të kërkonte ndjesë pas incidentit të muajit nëntor, kur avionët e saj rrëzuan avionin rus. Ankaraja u mbrojt duke deklaruar se avioni kishte shkelur hapësirën e saj ajrore, ndërsa Moska këmbëngul se avioni u rrëzua në hapësirën siriane.

Rusia iu kundërpërgjigj kokëfortësisë së Turqisë për të mos kërkuar ndjesë duke vendosur sanksione që prekën edhe paketat turistike të rusëve, që vitet e fundit janë vizitorët më të rregullt të brigjeve turke.

Putin deklaroi në kohën e vendosjes së sanksioneve se ato do të hiqeshin vetëm në rast të ndjesës turke për incidentin në fjalë.

“Në mesazh thuhet se Rusia është një vend mik i Turqisë dhe partner strategjik me të cilin autoritetet turke nuk duan marrëdhënie të prishura”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Turqia nuk ka komentuar ende mbi këtë pretendim të Rusisë.

Avioni rus, Su-24, një avion luftarak sulmues u rrëzua nga një F-16 turk më 24 nëntor të vitit të kaluar në zonën malore Jabal, pranë Latakias në Siri. 

Top Channel