Europiani, yjet që e lanë atë parakohe

24/06/2016 00:00

Faza e grupeve të Europianit të Francës u mbyll dhe tashmë janë mësuar emrat e 16 skuadrave që kanë vijuar më tej. Tetë ekipet e tjera u kthyen në shtëpi. Nuk janë të paktë emrat e njohur të futbollit të kontinenti të vjetër që lanë vendin transalpin madje pa lënë gjurmë.

Në krye të listës qëndron padyshim Zlatan Ibrahimovic i cili u tërhoq edhe nga përfaqësuesja suedeze. Përveç Ibrës, do të lënë skuadrën nordike edhe Lindelof, Kallstrom, Berg e Guidetti.

Një tjetër emër i njohur që la Europianin ishte Arda Turan, kapiteni i përfaqësueses turke. Mesfushori i Barcelonës nuk u shfaq në nivel të mirë dhe largohet me një zhgënjim të madh pasi Turqia shpresonte të kalonte si një prej skuadrave të treta më të mira. Bashkë me të lënë Euro 2016 edhe emra të tillë si Çalhanoglu, Burak Yilmaz apo Nuri Sahin.

David Alaba ishte shpresa e madhe për Austrinë që ishte në një grup me Portugalinë, Hungarinë, e Islandën ku skuadra e Koller së bashku me luzitanët shiheshin si pretendentët për të kaluar. Futbollisti i Bajernit nuk shkëlqeu dhe Austria mundi të marrë vetëm 1 pikë në barazimin me Portugalinë.

Një nga zhgënjimet më të mëdha të Europianit ishte Ukraina që largohet pa asnjë pikë të grumbulluar. Yarmolenko dhe Konoplyanka u fundosën së bashku me ekipin e tyre dhe nuk mundën të bënin asgjë në krahë në ndeshjet e zhvilluara. Ukraina nuk shënoi asnjë gol në këtë eveniment pavarësisht se në dispozicion kishte talentet e Sevijës dhe Dinamos së Kievit.

Të tjerë futbollistë të rëndësishëm që u larguan nga Franca ishin Etrit Berisha, Elseid Hysaj dhe Lorik Cana për kombëtaren shqiptare, Cech e Rosicky të Çekisë apo Akinfeev e Dzyuba të Rusisë.

Top Channel