Cameron, apel britanikëve: Votoni pro qëndrimit në BE

21/06/2016 00:00

Duke folur përpara selisë së qeverisë britanike, “10 Doëning Street”, kryeministri Cameron i kërkoi prindërve dhe të moshuarve të votojnë pro qëndrimit të Britanisë në BE, për hir të brezave dhe pasardhësve të tyre.

Arsyeja e kësaj thirrjeje lidhet me faktin se, të moshuarit janë më të prirur të votojnë pro largimit të Britanisë nga BE-ja, krahasuar me të rinjtë, të cilët janë pro qëndrirmit të mëtejshëm në BE, por më apatik ndaj proceseve të votimit në përgjithësi.

Cameron tha se brezat e ardhshëm do të goditen më rëndë nga vota për largimin e vendit nga BE-ja, të enjten, duke shtuar se një vendim i tillë është i pakthyeshëm.

Duke iu drejtuar, siç tha ai, bashkëmoshatarëve të tij dhe atyre që janë më të vjetër sesa ai, “për ju, për familjet tuaja, për të ardhmen e vendit, votoni pro qëndrimit në BE. Brezi i ardhshëm do të duhet të jetojë me pasojat për një periudhë shumë më të gjatë kohe sesa ne”.

“Dhe mos harroni se, ata nuk mund ta zhbëjnë vendimin që ne do të marrim. Nëse votoni për t’u larguar mori fund, është vendim i pakthyeshëm. Do të na duhet të largohemi njëherë e përgjithmonë nga Europa”, theksoi Cameron.

Sondazhet më të fundit tregojnë se ka një hendek prej 4 pikësh në favor të atyre që kërkojnë të largohen nga Europa, por sondazhet, sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, nuk e kanë më atë nivel besueshmërie si dikur.

Top Channel