Mogherini-Thaçit: Liberalizimi? Kriteri i fundit, ratifikimi i demarkacionit

21/06/2016 00:00

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ka kërkuar nga Presindeti Hashim Thaçi, që Kosova të përmbush edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, atë të miratimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Presidenti Thaçi u takua sot me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të takimeve që po zhvillon në Bruksel, shkruan lajmi.net

Thaçi, pasi e ka informuar Mogherinin për të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon, ka folur edhe për liberalizimin e vizave.

Shefi i shtetit kosovar, ka thënë se Kosova tani pret një vendim meritor në procesin e liberalizimit të vizave.

Thaçi po ashtu foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Lartë Mogherini u shpreh se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që sa më parë të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Top Channel