Shehi: S’ka hatermbetje në kombëtare

20/06/2016 00:00

Portieri i dytë i kombëtares, Orges Shehi, është njëri nga 3 lojtarët të cilët nuk ka debutuar ende në Europian. Bashkë me Alban Hoxhën dhe Naser Alijin, ata nuk kanë gëzuar asnjë minutë në kompeticionin e parë madhor për kuqezinjtë.

Pavarësisht kësaj, Shehi thotë se portierët gjithmonë e kanë më të vështirë duke qenë një rol më specifik, por edhe tek lojtarët, ai kujtoi se vetëm 11 zbresin në fushë.

“Ne jemi pjesë e kësaj skuadre dhe jemi shumë krenar që jemi në këtë event madhor. Në fushë zbresin 11 lojtarë dhe nuk pritet të luajnë të gjithë, ndërsa roli i portierit është akoma më specifik. Por, në grup nuk ka as ndonjë xhelozi, as hatermbetje, asgjë dhe kjo është një nga anët tona më të forta. Ju siguroj që ndjejmë të njëjtat emocione sikur me qenë në fushë”, tha ai.

I pyetur për mundësitë e Shqipërisë për të kaluar në raundin tjetër, Shehi, tha se kuqezinjtë e kanë bërë punën e tyre dhe se presin kombinimet e rezultateve të ndeshjeve të tjera që të vazhdojnë garën.

“Mendoj se ne kemi bërë më së miri punën tonë, arritëm të marrim një fitore ndaj Rumanisë dhe shpresoj që të kalojmë në raundin tjetër”, u shpreh ai.

Paraditen e së hënës, Skënderbeu mësoi kundërshtarin e tij të raundit të dytë kualifikues të Champions League, edhe pse ende nuk dihet nëse do të luajë apo jo sezonin e ardhshëm në këtë kompeticion. Shorti i së hënës ka vënë përballë kampionëve të Shqipërisë hungarezët e Ferencvaroshit, që vlerësohet një skuadër e fortë edhe nga Shehi.

“Mendsoj se është një short i pafavorshëm për Skënderbeun, por ky është fati. Ferencvaroshi është një skuadër shumë e fortë, por do të përballemi me të”, tha ai.

Top Channel