Kosovë, përkujtohet me shtatore 73-vjetori i lindjes së Ukshin Hotit

17/06/2016 00:00

Në nder të 73-vjetorit të lindjes së veprimtarit, atdhetarit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, në oborrin e Universitetit Publik të Prizrenit nisën punimet për shtatoren, që do t’i dedikohet atij. Figura e veprimtarit u vlerësua lart nga përfaqësues të institucioneve të shtetit, të cilët thanë se gjeneratat e reja do të edukohen nën frymën e profesor Hotit.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe familjarë të Ukshin Hotit. Djali i tij, Adnani uroi që ditëlindjet e tjera t’i shënojnë duke e ditur fatin e babait.

“Uroj dhe shpresoj shumë që ditëlindjet e ardhshme të jenë të tilla, që së paku të kemi të ditur fatin e babit, ku është ose çfarë ka ndodhur me të. Për mua, vendosja e kësaj shtatoreje këtu do të thotë një formë e pranisë së Ukshin Hotit në tempullin e dijes, të një Universiteti Publik të Republikës së Kosovës, e mbi të gjitha në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, siç është Prizreni”, tha i biri.

Një kërkesë të ngjashme për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit pati edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen deri në zbulimin e së vërtetës. Veseli shtoi se ndihet krenar për vendosjen e shtatores së veprimtarit dhe paralajmëroi se, shumë shpejt, një shtatore edhe më e madhe e tij do të vendoset në mes të Fakultetit Filozofik dhe Bibliotekës Kombëtare.

“Ne jemi të gjithë krenarë, që sot para Rektoratit të Universitetit të Prizrenit, i cili mban emrin e tij, do të vendosim shtatoren e ndritshme të këtij veprimtari, atdhetari, mendimtari: Ukshin Hotit. Në të njëjtën kohë, ju duhet të jeni krenarë që kjo do të jetë shtatorja e parë. Shumë shpejt pas kësaj, aty ku ka shkrirë mendjen, trurin, aty ku ka punuar përballë Fakultetit Filozofik dhe Bibliotekës Kombëtare, do të kemi një shtatore të tillë por edhe më të madhe të Ukshin Hotit”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi vlerësoi maksimalisht figurën e Hotit. Nisma për vendosjen e shtatores u ndërmor nga Parlamenti studentor i UPZ-së, i cili më vonë siguroi përkrahjen e institucioneve të tjera. Projekti që do të kushtojë 40 mijë euro pritet të finalizohet në nëntor.

Top Channel