Kosova, më shumë bashkëpunim me Maqedoninë në arsim

17/06/2016 00:00

Kosova dhe Maqedonia u zotuan për një bashkëpunim më të madh në sferën e arsimit. Ministrat e Arsimit të të dyja vendeve, Arsim Bajrami dhe Pishtar Lutfiu, zhvilluan një takim në Prishtinë, gjatë të cilit diskutuan për një bashkëpunim më të madh akademik, duke shpallur një konkurs të përbashkët të kërkimeve shkencore.

“Biseduam që t’i shtrijmë universitetet tona, të bashkëpunojnë sa më shumë në magjistraturë dhe doktoraturë, sepse duhet të krijojmë një liberalizim të plotë mes Maqedonisë dhe Kosovës. Tashmë që është hapur edhe kufiri, duke kaluar vetëm me një letërnjoftim, dhe kur po përfundon autostrada, studentët tanë të shkojnë atje dhe të punojnë në projekte të përbashkëta të doktoraturës dhe magjistraturës. Ne kemi Universitetin e Tetovës, një universitet të konsoliduar dhe mjaft të madh, ndërsa nga ky vit kemi edhe Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup, në gjuhën shqipe, që do të na mundësojë të kemi programe të përbashkëta të doktoraturës, ndërsa profesorët e Kosovës dhe Maqedonisë do të bashkohen në projekte të përbashkëta. Biseduam edhe për bashkëpunimin në arsimin parauniversitar, sidomos në arsimin profesional”, ka thënë ministri Bajrami.

Edhe ministri i Arsimit të Maqedonisë, Pishtar Lutfiu tha se bashkëpunimet në nivelet arsimore të të gjitha kategorive mes Kosovës dhe Maqedonisë do të rriten dhe thellohen.

“Ne kemi diskutuar për çështje arsimore e shkencore. Dy marrëveshje janë arritur, një në Vlorë dhe një në Manastir, ndërsa ne do të punojmë për jetësimin e tyre. Kemi diskutuar për harmonizimin dhe racionalizimin e programeve studimore, përcaktimin e projekteve, shkëmbimin e përvojave. Po ashtu ramë dakord për hapjen e disa granteve, të cilat do të jenë një stimul i madh për studentët. E informova ministrin për universitetin e ri, Universitetin ‘Nënë Tereza’ dhe në këtë aspekt me siguri do të na duhet edhe ndihma e Kosovës, për shkak se është universitet i shkencave teknike dhe Kosova ka përvojë në këto shkenca”, tha ministri nga Shkupi.

Top Channel