EULEX-i pa mandat, shtyhen çështjet gjyqësore. Mes tyre edhe e Sylës

15/06/2016 00:00

Avokati Tomë Gashi i ka thënë “KosovaPress”-it se seanca gjyqësore që ishte parashikuar të mbahej sot ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe të tjerëve nuk është mbajtur. Kjo, për arsye se – siç thotë Gashi, -mandati i EULEX-it ka përfunduar dhe nuk dihet nëse do të vazhdohet.

“Kanë anuluar të gjitha seancat që kanë qenë për sot, të enjten dhe të premten, dhe në rast se i vazhdohet mandati i EULEX-it atëherë ne do të njoftohemi paraprakisht e do të vazhdojmë ashtu siç janë procedurat”, ka thënë avokati i Sylës, Tomë Gashi.

Më tej, ai ka shtuar se gjithçka do të varet edhe nga kompetencat që EULEX do të ketë më tej.

“Varet nëse do t’i vazhdohet mandati me kompetenca të njëjta, apo nëse kompetencat ndryshohen. Nëse ndryshohen mund të ndodhë që EULEX mund të mos ketë kompetenca të merret me rastin e Azem Sylës dhe të tjerëve”, tha Gashi për “KosovaPress”.

Ndërkohë avokati mbrojtës, Arianit Koçi ka thënë për ‘Zëri’-n se, gjyqtarët e EULEX-it duke nisur nga sot nuk kanë mandat që të gjykojnë në Kosovë.

“Kjo situatë konfuze juridike i kushton shumë Kosovës, e më së shumti të pandehurve. Zvarritja e tillë e gjykimeve është në kundërshtim me Konventën e Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku shprehimisht theksohet që të pandehurit kanë të drejtë në gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, ka thënë Koçi për “zëri.info”.

Top Channel