Ukraina ishte vetëm test: Notat për kombëtaren

03/06/2016 00:00

Vetëm rezultati nuk foli për Shqipërinë, por gjithçka tjetër ishte e bukur.Nëse ka patur nga ata që e kishin ende të madhe shijen e keqardhjes për ata që munguan, loja e zhvilluar ishte ndër më të bukurat, me aromë evropiani.

Grintë, karakter, spektakël dhe veçanërisht një përgatitje e lartë fizike. Skuadra humbi në rezultat, por trajneri ka parë qartë problemet që duhet të rikuperojë.

Ky ishte testi i fundit, që nga ky moment nuk ka më prova.   

BERISHA 5 Ndoshta lojtari më me pak siguri në këtë mbrëmje. Në 4 gjuajtje në kuadrat, dy shkuan në fundin e rrjetës. Mungesa e gjatë e aktivizimit ja ka ngurtësuar reflekset.

HYSAJ 7 shumë siguri në veprimet mbrojtëse. Ka forcë dhe mbron shumë mirë, por ka mungesa në pjesëmarrjen sulmuese, ndoshta edhe i kushtëzuar nga dialogu i pakët me Roshin.

CANA 8 kapiteni dominon edhe atëherë kur nuk ndihet mirë. Lojtar i sakrificës, me shumë grintë dhe vendosmëri. Nuk ndihen vitet e aq më pikat minutat e pakta të sezonit. Është një siguri për skuadrën në lojën difensive.

MAVRAJ 7 Edhe pse duket i ngadaltë në veprime ka shumë siguri në lojën e tij. Nuhat dhe lexon mirë lëvizjet e kundërshtarit edhe pse nuk ka qenë i koordinuar me shokët e tjerë te repartit.

AGOLLI 7 Në pjesën e parë ka qenë perfekt. Shumë i shpejtë më mbulim dhe mjaft aktiv në fazën sulmuese. Në fundin e lojës pati një renie të lehtë fizike.

KAÇE 8 Oh sa bukur luan Kace! Mos e shikoni vetëm kur ka topin, por se si arrin ta rikuperojë atë. De Biasi nuk më justifikime për ta lënë jashtë formacionit.

XHAKA 8 Ka ardhur i fundit në skuadër, por këtë nuk e kuptoi as kundërshtari dhe as ne nga televizori. Është një futbollist me muskuj të hekurt që tregon shumë siguri.

ABRASHI 8 Katalizatori i presingu linear. I palodhur në çdo sekondë që u aktivizua. Trajneri e di përmendsh lojën e tij dhe arrin t’ja marri maksimumin.

LENJANI 8 Shumë klas dhe vendosmëri. Një futbollist që nuk do të ketë vështirësi për ta gjetur vendin në formacion. Ishte shumë pranë golit. Mund të jetë një nga pikat më të forta të kombëtares.

ROSHI 6 Ishin vetëm 45 minutat e para ato që u dallua veçanërisht në lojën një për një. Në pjesën e dytë humbi, duke mos e ndihmuar shumë skuadrën.

SADIKU 7 Ka nuhatjen e një bomberi dhe jo rastësisht shkoi shumë shpejt te goli. Besimi që i dha trajneri tregon se është një zgjedhje e menduar.

AJETI 6 Nuk tregoi shumë siguri e cila u reflektua  edhe me ndëshkimet që mori skuadra. Ka mungesa në komunikim me shokët e repartit.

BASHA 7 Është një lojtar me shumë eksperiencë dhe jep një siguri në veprimet kur skuadra duhet të mbajë topin. Mund të jetë i rëndësishëm në pjesët e dyta të ndeshjeve.

MEMUSHAJ 5 Pritej më shumë fantazi prej këmbëve të tij, por nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë. Në ato pak raste pati më shumë individualizëm

CIKALLESHI 5 Humbi mes fanellave të ukrainasve, duke mos marrë asnjëherë topa nga mesfusha.

GASHI 5 Pak impenjim, pak forcë dhe rrjedhimisht edhe pak rezultat. Trajneri e shikon si alternativë edhe pse Gashi pretendon më shumë.

BALAJ 5 pritej të ndihmonte në lojën në ajër, por ashtu si edhe Cikalleshi nuk mundën të evidentoheshin.

Top Channel