Liverpool e United ndëshkohen për kore ofensive. Priten të tjera sanksione për “The Reds”

24/05/2016 00:00

Rivaliteti mes Liverpoolit dhe Manchester United është i njohur prej vitesh, por këtë sezon, dy ekipet e Premier League nuk kanë mundur t’u shpëtojnë ndëshkimit nga UEFA për shkak të koreve ofensive të tifozëve të tyre, këtë herë në përballjen mes tyre në 1/8-at e Europa League.

Si Liverpooli, ashtu dhe Manchester United janë gjobitur me nga 20 mijë euro secili për thirrjet e papranueshme gjatë ndeshjes së drejtpërdrejtë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Europës, teksa paneli i Disiplinës në UEFA gjykoi një sërë akuzash, ku përfshihen trazirat mes turmave të tifozëve dhe hedhjen e objekteve të palejuara në fushë.

UEFA nuk i ka shkuar deri në fund dënimit të merituar, pasi ka pezulluar atë pjesë të dënimit që i ndëshkon edhe me nga 20 mijë euro të tjera të dy klubet, nëse gjatë një periudhe dyvjeçare mbikëqyrjeje do të ndodhnin të njëjtat trazira.

Megjithatë, Liverpool është ndëshkuar edhe me 17 mijë euro të tjera, si dhe është detyruar “të kontaktojë Manchester United brenda 30 ditëve, për të shlyer dëmet e shkaktuara nga tifozët e saj”, tha UEFA.

Ndeshjet mes Liverpool dhe Manchester United, vajtje e kthim, përfunduan me rezultatin e përgjithshëm 3-1 për “The Reds”. Ndërkohë që për këta të fundit priten të tjera sanksione nga UEFA në muajin korrik, për shkak të trazirave mes tifozëve të Liverpool dhe atyre të Sevillas në stadiumin e Bazelit, përpara finales së Europa League të luajtur javën e kaluar.

Top Channel