Giuffredi “këshillon” Napolin: Hysajn “blindojeni” para Europianit

20/05/2016 00:00

Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, ka paralajmëruar sërish skuadrën e Napolit që të nxitojë me rishikimin e kontratës për klientin e tij, ndryshe gjërat mund të komplikohen pasi skuadra të tjera i janë vënë pas.

“Zërat për Bayern? Unë i këshilloj Napolit ta blindojë Hysajn para fillimit të Europianit, duke i zgjatur dhe përmirësuar kushtet financiare në kontratë. Gjatë Europianit ai mund të konfirmohet me paraqitje të jashtëzakonshme, siç ka bërë me klubin”, tha ai.

Giuffredi tha se Napoli ka bërë një lëvizje shumë të zgjuar gjatë vitit të kaluar, kur nënshkroi me mbrojtësin. I blerë për vetëm 5 milionë euro nga radhët e Empolit, vlera aktuale e kartonit të lojtarit përllogaritet sa pesëfishi i kësaj shifre të shpenzuar asokohe.

“Aktualisht, kartoni i Hysajt vlen mes 20 dhe 25 milionë eurove. Napoli ka bërë një lëvizje të shkëlqyer teknike dhe ekonomike kur nënshkroi me të, pasi për Hysajn do të vihen në lëvizje skuadra të rëndësishme që do të mundohen t’ia rrëmbejnë”, theksoi ai.

Duke folur për “Radio CRC”, Giuffredi e cilësoi Hysajn një luftëtar, pasi sipas tij, mbrojtësi flet pak, por bën shumë gjëra në fushë. “Ai është djalosh me shumë cilësi, që di të bëjë shumë gjëra, të cilat janë certifikuar tashmë nga statistikat sezonale”, deklaroi Giuffredi.

Top Channel