Kosovë, protesta e opozitës: Qeveria po shet territorin për vizat

14/05/2016 00:00

Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, në protestën e dy subjekteve opozitare AAK dhe Nisma për të kundërshtuar demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se qeveria nuk mund të falë tokën e Kosovës në këmbim të heqjes së vizave.

“Po i marrim vizat e po japim tokë. Kështu po na thonë. Dhe ne jemi sot këtu në shesh për t’u thënë se ne i meritojmë vizat dhe asnjë centimetër tokë nuk japim”, deklaroi Limaj.

Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pasi përmendi shkeljet kushtetuese të qeverisë dhe gjendjen e rëndë në vend, kërkoi zgjedhje të reja.

“Ne me të drejtë sot u kërkojmë atyre që t’i kthejnë mandatin qytetarit. Me të drejtë sot u themi, se Kosova mund të rinisë nëse vendos qytetari”, deklaroi Haradinaj.

Në protestën e dy subjekteve opozitare pas ndarjes me Vetëvendosjen ishin edhe shumë flamuj të Kosovës si dhe u intonua himni shtetërorë.

Por, edhe pse Vetëvendosje nuk ishte pjesë e organizimit, disa mesazhe të saj u dëgjuan në protestë. Ndryshe nga folësit politikë, aktori i njohur Çun Lajçi, që vjen nga rajoni i Rugovës, duke interpretuar dërgoi mesazhin se banorët do ta mbrojnë edhe vetë kufirin me Malin e Zi.

Top Channel