“Tërmet” te Ajax, largohet trajneri De Boer

12/05/2016 00:00

Frank de Boer i jep lamtumirën Ajaksit pas 5 sezoneve. Është vetë klubi që e konfirmoi këtë lajm nëpërmjet një komunikate për shtyp, duke deklaruar se trajneri 46-vjeçar, së bashku me drejtuesit e Ajaksit, ranë dakord për zgjidhjen me konsesus të kontratës mes tyre që skadonte në vitin 2017.

“Pasi fitova 4 tituj radhazi të Holandës, sezoni 2014/2015 rezultoi një zhgënjim. Këtë vit bëmë gjithçka për t’u kthyer te titulli, por gjërat nuk shkuan siç dëshiruam. Kuptova që erdhi momenti për të bërë diçka tjetër. Ishte vendimi më i mirë për mua dhe Ajaksin. Nuk e di se çfarë më rezervon e ardhmja, mund të qëndroj një vit pushim”, komentoi De Boer.

De Boer u largua nga drejtimi i Ajaksit për mënyrën sesi kjo skuadër humbi betejën me PSV Eindhoven në garën për triumfin në Eredivisie, në javën e fundit. Megjithatë, ai deklaron se do të vazhdojë të mbështesë Ajaksin.

“Do të ruaj kujtime të bukura dhe do të vazhdoj të ndjek Ajaksin në çdo moment. Është klubi im i zemrës dhe do të jetë i tillë gjithnjë”, vijoi De Boer.

Top Channel