Çmenduri në Dibër, Kastrioti ‘dëbohet’ me shqelma (VIDEO)

07/05/2016 00:00

Skenat e dhunës rikthehen sërish në fushat e futbollit shqiptarë dhe këtë herë fusha që është kthyer në një ‘mejdan’ të vërtetë vjen nga Kategoria e Parë.

Ndeshja mes Korabit të Peshkopisë dhe Kastriotit të Krujës ka qenë e tensionuar para dhe gjatë lojës, por tensionet kulmuan me fërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit të takimit, fërshëllimë që në vend që të nxirrte jashtë futbollistët, hodhi në fushë tifozët vendas.

Këta të fundit u vërsulën me grushte, shkelma dhe sende të tjera të forta me një shënjestër të vetme, lojtarët e Kastriotit.

Duke qenë se bëhej fjalë për një ndeshje vendimtare në luftën për t’u ngjitur në Superiore, stadiumi vendas ishte i tejmbushur dhe ato pak forca policore nuk ishin në gjendje që të mbronin futbollistët dhe stafin e krutanëve.

Top Channel sjell pamjet ekskluzive nga beteja që ka zgjatur për disa minuta e ku në përfundim janë dëmtuar disa prej lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të Kastriotit.

Sa për kronikë, ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 për Korabin.

Këto incidente mbërrijnë vetëm pak ditë nga skenat e dhunës që pamë në përfundim të derbit mes Tiranës dhe Partizanit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel