“Panama Papers”, thyen heshtjen autori i rrjedhjes së dokumenteve. Kërkon imunitet

06/05/2016 00:00

Skandali i ashtuquajtur “Panama Papers”, i cili shkaktoi një valë të madhe reagimi mbi pasuritë e udhëheqësve botërorë, tashmë e ka një zë dhe është pikërisht burimi anonim që fshihet pas rrjedhjes së dokumenteve të pafundme, por që kërkon mbrojtje në këmbim të ndihmës ndaj autoriteteve për të kryer hetimet e nevojshme.

Në një deklaratë prej rreth 1.800 fjalësh, “John Done”, pseudonimi i personit që nxorri sekretet, bën të ditur se nuk ka punuar kurrë për ndonjë agjenci spiunazhi apo për llogari të ndonjë qeverie. Ai e nis deklaratën duke cituar “barazinë e të ardhurave” si motiv për veprimin e bërë.

“Panama Papers”, apo “Letrat e Panamasë”, nxorrën në pah sesi disa persona tepër të pasur përdorin firma “offshore” për të shmangur pagesën e taksave dhe për të shmangur sanksionet. Letrat i përkisnin kompanisë ligjore “Mossack Fonseca”, por personi anonim mohon të ketë kryer ndonjë shkelje, dhe se ai është thjesht një viktimë e piratimit kompjuterik.

Letrat e publikuara u hetuan nga qindra gazetarë investigativë, të cilët punojnë në mënyrë sekrete nën të ashtuquajturin Konsorcium Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ) prej muajsh. Dokumentet zbuluan pasuritë e fshehta të qindra politikanëve, zyrtarëve, udhëheqës aktual apo të dikurshëm, personalitete apo yje futbolli.

Në dokumente listohen më shumë sesa 200 mijë kompani mëmë, fondacione dhe truste, të ngritura të gjitha nëpër “parajsa fiskale” anembanë botës. Deklarata e “John Doe” erdhi vetëm pak përpara se Presidenti amerikan, Barack Obama, të jepte një deklaratë mbi ekonominë, në të cilën citoi se “Panama Papers” thekson edhe më shumë problemin e korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Top Channel