Milani barazon 3-3 ndaj Frosinones së Ajetit

01/05/2016 00:00

Një penallti në minutat e shtesës e ka shpëtuar Milanin nga humbja në “San Siro” ndaj Frosinones, ku luan mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti.

Ndeshja u mbyll në barazim 3-3, por asnjëra nga dy ekipet nuk doli e kënaqur me këtë rezultat. Më keq për Frosinones, pasi ishte duke udhëhequr 3-1 dhe një tre pikësh do t’i mbante gjallë shpresat për qëndrimin mes më të mirëve edhe sezonin e ardhshëm në Itali.

Miqtë e mbyllën pjesën e parë me avantazhin e dy golave, por me të filluar pjesa e dytë, Milani merr një penallti, por gjuajtja e Balotellit u prit fillimisht nga portieri e më pas Ajeti e largoi topin në goditje nga këndi. Megjithatë, vetëm pas një minute kuqezinjtë gjetën golin e parë me kolumbianin Bacca.

Frosinone arriti të shënojë edhe golin e tretë në minutën e 54 me Dionisin. Milani e rriti presionin pas këtij goli, duke kërkuar të ngushtojë diferencën dhe në minutën e 74 Antonelli e çoi rezultatin në 2-3.

Atëherë kur u mendua se Milani regjistroi një tjetër humbje, arbitri kryesor akordon një 11-metërsh, të cilin e kthen në gol Menez. Madje, në fundin e takimit Balotelli pati një mundësi të artë për të përmbysur rezultatin, por topi i goditur nga ai përfundoi në traversë.

Pas kësaj ndeshje, Frosinone është thuajse në Serie B, pasi ndodhet 4 pikë pas Palemos kur kanë mbetur edhe dy takime nga fundi i kampionatit. Ndërsa Milani përfundon në vendin e 7, duke u parakaluar nga Sassuolo, e cila fitoi 1-0 ndaj Veronas. Aktualisht kuqezinjtë ndodhen jashtë zonës së Europa League sezonin e ardhshëm, megjithatë janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

Këtë të diel u luajtën edhe 3 takime të tjera të javës së 36 në Serie A, ku në mesditë Juventusi, tashmë i shpallur kampion, fitoi 2-0 ndaj Carpit. Palermo mposhti 2-0 Sampdorian, ndërsa Empoli-Bologna u mbyll në barazim pa gola.

Top Channel