Skenarët në La Liga, “rrëshqitjet” që sjellin titullin

01/05/2016 00:00

Ndërsa La Liga arrin “klimaksin” e saj, pikën më të lartë të sezonit në futbollin spanjoll, janë të shumtë skenarët që mund të sjellin titullin për 3 finalistët e sprintit në Primera Division.

Barcelona në “pole position”, por edhe skuadrat e futbollit madrilen kanë shanset e tyre për fronin e futbollit iberik. Katalanasit janë mbi Atleticon me kuotë të njëjtë pikësh, por me diferencën shkatërruese se kanë shënuar 104 gola deri tani, thuajse dyfishin e ndjekësve.

Formacioni i trajnerit Luis Enrique ka një hall më pak në ndeshjet e mbetura pasi është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe titullin e ka tashmë çështje primare. Pavarësisht disfatave që e kanë rrezikuar, fundjava i rezervoi skuadrës “blaugrana” 3 pikë në Sevija dhe mori maksimumin në një ndeshje që tifozët nuk do ta kujtojnë për stil sulmues apo futboll atraktiv.

Reali mundi Sociedadin në stadiumin Anoeta ndërsa Atletico triumfoi ndaj Vajekanos, një sinkroizim perfekt i skuadrave kryesuese. Për të çuar titullin në Katalonjë, Barcelona tani duhet të paktën të marrë po aq pikë sa rivalët në dy sfidat finale.

Nëse fiton ndaj Espanyol në “Camp Nou” dhe ndaj Granadës në transfertë, skuadra e Luis Enriques nuk do të varet nga të tjerët. Edhe pse një derbi është i rrezikshëm, forma e rivalëve të qytetit është ngushëllim për Barçën që projekton titullin e  radhës.

Një rrëshqitje e mundshme e katalanasve duke nisur nga derbi do të ndryshonte totalisht koeficentët pasi Atletico e parakalon menjëherë e ndoshta edhe Reali. Ky i fundit pret Valencian ndërsa Atletico luan ndaj Levantes, fitore të lehta në letër që presin vetëm ndalesën e kryesuesve.

Top Channel