“Sigal”, sponsor i kombëtares. Firmoset kontrata 2-vjeçare

28/04/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar të enjten, rreth një muaj përpara finaleve të Europianit, sponsorin më të ri zyrtar të futbollit tonë, që do të jetë kompania e sigurimeve “Sigal Uniqa Group”.

Bashkëpunimi i kësaj kompanie sigurimesh me futbollin nuk është i vetmi bashkëpunim sportiv, pasi kompania “Sigal” është mbështetëse e Ligës Ballkanike të basketbollit, basketbollit shqiptar dhe atij kosovar, por edhe i atletes shqiptare, Luiza Gega.

“Për të qenë pjesë e sponsorizimit të kombëtares shqiptare është përgjegjësi e madhe. Për mua është kënaqësi sepse Federata Shqiptare e Futbollit tashmë është federatë dinjitoze që ngriti emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Është nder edhe për ‘Uniqa’-n, edhe për ‘Sigal’-in, dhe uroj që pjesëmarrja jonë t’i sjellë fat dhe mbarësi ekipit kombëtar”, deklaroi Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i “Sigal Uniqa”.

Përveç përfitimit financiar, Federata Shqiptare e Futbollit për herë të parë ka arritur të shfrytëzojë sponsorizimin edhe më gjerë se vetëm tek skuadra përfaqësuese.

“Kjo marrëveshje është vërtet një risi sepse nga kjo nuk do të përfitojë vetëm kombëtarja shqiptare, por do të përfitojë i gjithë futbolli shqiptar. Nga kjo marrëveshje do të sigurohen të gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë në të gjitha ekipet e moshave përfaqësuese dhe do të sigurohen të gjithë futbollistët e kampionateve shqiptare. Kemi siguruar gjithçka, por nuk kemi siguruar rezultatin në kampionat, rezultatin do t’ia kërkojmë skuadrës”, tha Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Top Channel