Greqi, ndizet flaka olimpike e Lojërave të Rios

21/04/2016 00:00

Ceremonia e ritualit antik të ndezjes së flakës olimpike në stadiumin e Olimpit të lashtë në Peloponez, në praninë edhe të vet Presidentit të Greqisë, është transmetuar nga shumica e medieve botërore.

Aktorja e njohur greke, Katerina Lehou, në rolin e një priftëreshe të lashtë ka ndezur një pishtar nga rrezet e diellit në tempullin e Herës, duke përdorur një pasqyrë parabolike dhe duke përsëritur një ritual, që është vendosur për herë të parë në Lojërat Olimpike të Berlinit në 1936-n.

Flaka olimpike është konsdieruar që në lashtësi si një simbol i dritës së shpirtrave njerëzorë, i diturisë dhe i jetës.

“Flaka është një simbol i lashtë i paqes dhe harmonisë, i fuqisë së njerëzimit, vlera që vijnë së bashku, pavarësisht dallimeve tona”, tha Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik.

Pasi të udhëtojë për 7 ditë në qytete të ndryshme të Greqisë, organizatorët brazilianë do të marrin në dorëzim flakën olimpike në stadiumin “Panathinian”, në Kalimarmaro të Athinës më 27 prill, aty ku është zhvilluar Olimpiada e parë moderne në botë, 120 vite më parë.

Për 100 ditë, flaka do të bëjë udhëtimin e saj në të gjithë rruzullin, për të përfunduar rrugëtimin e saj më 5 gusht të këtij viti në Rio, ditën kur fillon ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike në Brazil.

Top Channel