Sheshel nuk guxon të shkojë në Mitrovicë: Prishtina e Beogradi më penguan

12/04/2016 00:00

Pas shpalljes si person i padëshirueshëm nga Qeveria e Kosovës dhe paralajmërimeve se do të arrestohej po të hynte në Kosovë, kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel është tërhequr dhe i ka përshëndetur radikalët e mbledhur në veri të Mitrovicës përmes një lidhjeje telefonike.

Megjithatë duket se, përtej kërcënimeve të Prishtinës zyrtare se do ta arrestonte, në hapjen e fushatës së partisë radikale serbe në veri të Mitrovicës, Sheshel akuzoi Beogradin se nuk i kishte dhënë dokumentin e udhëtimit.

“Të dashur vëllezër dhe motra, unë sot kam dashur të jem me ju në Kosovë e Metohi, por nuk më lejoi regjimi i Prishtinës dhe ai i Beogradit, që nuk më ka lëshuar letërnjoftimin”, tha Vojislav Sheshel, kryetar i Partisë Radikale Serbe.

Edhe pse ishte një tubim për zgjedhjet e Serbisë, zëvendësi i Sheshelit, Nemanja Saroviç kritikoi deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët – siç tha ai, – kanë votuar Hashim Thaçin për President të Kosovës.

I ardhuri nga Beogradi i quajti shqiptarët terroristë, ndërsa radikalët serbë hidhnin parrulla kundër Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Në sheshin “Vëllezërit Miliç”, ku mbahej tubimi, ishin vendosur fotografi të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke i vënë flakën Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Përveç Qeverisë së Kosovës, e cila kësaj radhe ka lëshuar urdhërndalimi për kryeradikalin serb, atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë edhe në vitin 2003 nga UNMIK-u, për shkak të deklaratave kundër shqiptarëve.

Top Channel