Panariti në Pejë, fton fermerët kosovarë të investojnë në Shqipëri

09/04/2016 17:20

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Edmond Panariti, i shoqëruar nga disa fermerë nga Shqipëria kanë takuar fermerë të komunës së Pejës në Kosovë, për të diskutuar format e thellimit të bashkëpunimit.

Ky takim ka ardhur si rezultat i nismës së kryeparlamentarit shqiptar Ilir Meta, i cili ditë më parë vizitoi Pejën dhe pas takimit me përfaqësuesit e komunës paralajmëroi nisjen e bashkëpunimit mes fermerëve nga të dyja anët e kufirit.

Në tryezën e përbashkët të fermerëve, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e institucioneve komunale dhe ata të dhomave ekonomike, u diskutua për përparësitë në stinë të ndryshme që ofrojnë Kosova dhe Shqipëria për fermerët.

Ministri Panariti ftoi bujqit e rrafshit të Dukagjinit që të investojnë në Shqipëri, duke iu ofruar trajtim të barabartë me të gjithë, ndërsa inkurajoi ata nga Shqipëria që të bashkëpunojnë fqinjët.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi propozuan që kërkesat e fermerëve për mbështetje më të madhe nga ana e qeverive përkatëse të pasqyrohen në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.

Top Channel