Analiza e UEFA-s: Ja kush do ta udhëheqë Shqipërinë në të ardhmen

01/04/2016 00:00

Shqipëria është një prej 24 ekipeve pjesëmarrëse në Euro 2016 dhe ky fakt ka bërë që institucioni më i lartë i futbollit në Europë, UEFA, t’i bëjë një analizë të detajuar kombëtares shqiptare.

Shkrimi në faqen zyrtare të UEFA-s nis me dy miqësoret e fundit që Shqipëria zhvilloi më 26 dhe 29 mars. UEFA thekson gabimet e bëra në mbrojtje në humbjen ndaj Austrisë që në fillimin e takimit, ndërsa cilësohet si problem edhe vështirësia për të gjetur golin në ndeshjen e dytë ndaj Luksemburgut, ku goli i parë u shënua vetëm në minutën e 64-t.

Sigurisht që nuk mund të mbeteshin pa u përmendur edhe tifozët që e ndoqën kombëtaren në “Josy Barthel” të Luksemburgut, të cilët sipas UEFA-s ishin rreth 3 mijë, të cilët nuk reshtën së përkrahuri kombëtaren e tyre gjatë gjithë 90 minutëshit edhe pse në një ndeshje miqësore dhe ndaj një kundërshtari inferior.

Në dy miqësoret e fundit Shqipëria u paraqit me dy formacione tërësisht të ndryshme dhe sipas UEFA-s, vetëm portieri Berisha duket se është i sigurt në këtë kombëtare.

Një nga pikëpyetjet më të mëdha që UEFA ngre është edhe ajo që lidhet me Milot Rashicën. “Pas debutimit që “playmeakeri” i Vitesses bëri të martën, a do të jetë ai një emër i së ardhmes rreth të cilit do të ndërtohet ekipi? Nëse një gjë e tillë nuk ndodh gjatë kësaj vere, është e sigurt se do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon UEFA që shton se në repartin e avancuar, Cikalleshi duket se është preferenca kryesore pas 90 minutave të luajtura në Luksemburg.

Një pyetje UEFA e ngre edhe për repartin e mbrojtjes, duke u bazuar në dy golat e pësuar në Austri.

“Shqipëria duket e brishtë kur skuadra kundërshtare e vendos nën presion. Kontrolli i topit është një problem për këtë skuadër që mesatarisht gjatë eliminatoreve e ka pasur kontrollin e lojës në masën 45 %. Pasimet në total janë 1886, më pak se çdo finalist, por kjo edhe për faktin se Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 skuadra”.

Top Channel