Barcelona apo Reali, “El Clasico” në javën e “etheve”

29/03/2016 00:00

“El Clasico” është ndeshja në të cilën do të donte çdo tifoz futbolli të ishte prezent në stadium, pak rëndësi ka se cilat ngjyra mbështet apo nga e ka prejardhjen. Sporti unik i futbollit të bukur dhe rivalitetit do të shfaqet këtë fundjavë me përplasjen ikonë mes Barcelonës dhe Realit të Madridit.

Dy prej ekipeve më të titulluara në futbollin europian do të dhurojnë “Klasiken” e dytë sezonale dhe “blankos” luajnë në transfertë por kanë detyrimin moral të hakmerren për disfatën e hershme të sezonit.

E shtuna e 2 prillit në orën 20:30 vendos formacionin katalanas në rolin e favoritit pasi vendasit luajnë më lirshëm dhe mund t’i lejojnë vetes gabime, edhe nëse nuk marrin asnjë pikë.
 
Reali i Madridit ende kujton poshtërimin e fazës së parë 4-0 në stadiumin “Bernabeu”, dhe vendi i tretë në renditje imponon reagim nëse shpreson ende te titulli. 12 pikë janë “merenges” prapa Barcelonës por në ndryshim me sfidën e kryeqytetit, këtë herë në stol është Zinedin Zidane.
 
Ky i fundit e ka përmirësuar mesataren e shënimit të golave, por përballë repartit ofensiv “blaugrana”, çdo skuadër duket e pafuqishme. Në pritje të zhvillimeve më të fundit pas ndeshjeve të kombëtares, thuajse të gjithë lojtarët janë në kushte të mira fizike.
 
Deri tani vetëm Rafinha, Dagllas dhe Adriano janë mungesat e sigurta “blaugrana” ndërsa te Real shpresojnë se Benzema do ti bashkohet Ronaldos dhe Bale në sulm.

Tre “klasiket” e fundit në “Camp Nou” kanë përfunduar me rezultat identik 2-1, por dy prej këtyre fitoreve kanë qenë në favor të Barcelonës.

Top Channel