Kosovë, 7 të arrestuar për posedim narkotikësh. Mes tyre 4 shqiptarë

27/03/2016 00:00

Drejtoria Hetimore e Trafikut të Narkotikëve, në Policinë e Kosovës, ka arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë dhe 3 të Kosovës, të dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Përmes një komunikate, policia njofton se operacioni është realizuar më 26 mars, në rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Shaban Shala” në Prishtinë, ku fillimisht janë ndaluar dy makina me targa shqiptare, me të cilat po udhëtonin 4 të dyshuar meshkuj, shtetas të Shqipërisë.

Gjatë kontrollit, në njërën nga makinat është gjetur substancë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë, me peshë 1.867 gramë, e fshehur në gomën rezervë të automjetit.

Me urdhër të prokurorit është kontrolluar një shtëpi e dyshuar, në të cilën janë arrestuar 3 shtetasit e Kosovës.

Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar një makinë, disa celularë, 340 euro “cash” dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit, 7 personave të dyshuar, 4 nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, iu është caktuar masa e ndalimit dhe janë dërguar në paraburgim.

Top Channel