Stamboll, alarm për bombë, anulohet ndeshja Galatasaray-Fenerbahce

20/03/2016 00:00

Ndeshja e futbollit Galatasaray- Fenerbahce, e cila do të luëhej në “Telekom Arena” në Stamboll është anuluar pas një alarmi për bombë, i cili më pas rezultatoi të kishte qenë fals.

Alarmi u dha vetëm pak momente pasi tifozët e të dyja ekipeve kishin nisur të futeshin në stadium. Tifozët më pas u evakuuan me shpejtësi nga stadiumi, pasi zyra e guvernatorit të Stambollit njoftoi për një sulm të mundshëm terrorist.

Anulimi i ndeshjes, që ishte parashikuar të niste në orën 20:00, vjen një ditë pas një sulmi vetëvrasës në Stamboll, i cili la të vrarë katër njerëz dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Më herët gjatë ditës, Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë e ka identifikuar sulmuesin vetëvrasës të Stambollit si militant që ka lidhje me grupin e Shtetit Islamik. Ministri Efkan Ala u tha sot gazetarëve se sulmuesi është identifikuar si qytetar turk, me emrin Mehmet Oz-turk, i lindur në vitin 1992, në qytetin jugor të Gaziantepit.

Top Channel