Hamilton s’i zë besë Ferrarit: Janë dinakë

18/03/2016 00:00

Botërori i Formulës 1 nis këtë fundjavë me garën e parë të Australisë, ku nga ajo që u pa në provat e lira, Mercedes do të jetë skuadra për t’u mundur.

Lewis Hamilton dominoi në provat e lira në pistën e Melburnit, por kërkoi kujdes pasi, sipas tij, Ferrari po tregohet dinak dhe është shumë më i shpejtë nga sa deklaron.

“Mendoj që Ferrari do të na befasojë, madje që këtë fundjavë. Janë shumë më të shpejtë nga sa thonë dhe vazhdojnë të na afrohen duke ruajtur një profil të ulët, por në të vërtetë pretendimet i kanë shumë më të mëdha”, deklaroi Hamilton.

Piloti britanik nuk i zë besë Ferrarit, pavarësisht asaj që thonë analistët, që shohin favorit Mercedesin e tij. Gjërat bëhen akoma më të paparashikuara edhe nga formati i ri i “pole positon”, që mund të rezervojë surpriza të mëdha në vijën e parë të nisjes të dielën.

Top Channel