“Fatkeqësi” italiane, zero skuadra në kupat e Europës

18/03/2016 00:00

Tmerronin çdo skuadër angleze, spanjolle e gjermane, por sot…i shohin nga televizori këto kundërshtarë teksa luajnë në Champions apo Europa League.

Serie A është katandisur në ditët e saj më të errëta. Asnjë skuadër në çerekfinalet e Champions League, asnjë skuadër në Europa League, nuk ndodhte që prej 15 vjetësh.

Sampdoria ishte e para skuadër italiane që i dha lamtumirën Europa League ende pa e nisur mirë atë. Serbët e Vojvodinës fituan 0-4 në Itali, një rezultat që vite më parë do të ishte i paimagjinueshëm. Eliminimi u vendos që në Itali edhe pse në ndeshjen e dytë fituan 0-2 në Serbi, por ky rezultat ishte i pamjaftueshëm. Fiorentina e Napoli u cilësuan në fillim të Europa League si dy ekipe që mund të shkonin larg në këtë kompeticion, por nuk ndodhi kështu. Fiorentina barazoi në Itali 1-1 me Tottenhamin dhe u mund 3-0 në Angli. Napoli arriti deri në 1/8, por jo më shumë pasi kishte përballë një skuadër spanjolle, e cila edhe pse renditet në vendin e katërt në La Liga, nuk e pati shumë të vështirë të skualifikonte skuadrën që për shumë javë qëndroi në krye të Serie A.

Në Champions, ndoshta të pafat.

Lazio mori pjesë në play-off pasi u rendit e treta dhe si kundërshtar shorti i vuri përballë gjermanët e Leverkusen, të cilët edhe pse u mposhtën 1-0 në “Olimpico”, fituan me lehtësi 3-0 në ndeshjen e kthimit, duke e fituar ata të drejtën për të marrë pjesë në fazën e grupeve, ndërsa Lazio kaloi në Europa League.

Roma ishte e kualifikuar direkt në grupe, ku megjithëse arriti të kalojë më tej, tregoi në ndeshjet e zhvilluara se nuk është në nivele të larta. U mund në ndeshjen e parë në Bjellorusi nga BATE, ndërsa u ndëshkua keqazi 6-1 në “Camp Nou”. Megjithatë, verdhekuqtë arritën të kalojmë më tej. Por, si të dytët në grup shorti i vuri përballë Realit, i cili i mposhti si në Itali dhe në Spanjë me të njëjtin rezultat, 2-0.

Juventusi i befasoi të tërë sezonin e kaluar duke shkuar deri në finale të Champions, por këtë sezon bardhezinjtë u ndeshën me Bayernin në 1/8-tat. Ishin pranë kualifikimit në ndeshjen e dytë në “Allianz Arena”, por edhe pse ishin në avantazhin e dy golave, nuk arritën t’i bëjnë ballë gjermaneve, duke u dorëzuar në sekondat e fundit të ndeshjes. Lamtumirë Champions edhe për ta.

E fundit mbeti Lazio, edhe një ditë më shumë në Europë… Jo se treguan vlera më të mëdha se të tjerat, por Europa League luhet një ditë më pas se Champions. Nëse për Juventusin mund të themi se u largua me kokën lartë, Lazio iku e turpëruar. Bardhekaltrit ishin favoritë kryesorë për të kaluar në çerekfinale ndaj Spartës së Pragës. Ndeshja e parë në Çeki përfundoi në barazim 1-1 dhe u mendua se Lazio nuk do ta kishte të vështirë në kthim, por ndeshja në “Olimpico” ishte një katastrofë. Sparta e Pragës shënoi 3 herë që në pjesën e parë, duke i vënë vulën një sezoni të turpshëm për skuadrat e Serie A.
 
E nisën 0-4 dhe e mbyllën 0-3, e pranojmë apo jo ky është futbolli italian i ditëve të sotme!

Top Channel