Leicester, ekipi më efikas në Angli

15/03/2016 00:00

Leicester City vazhdon në mënyrë surprizë të marshojë drejt titullit kampion në Premier Ligën angleze, pavarësisht konkurrencës në rritje dhe numrit të madh të skuadrave që synojnë fronin.

Së fundmi edhe statistikat po i japin të drejtë formacionit të “dhelprave” të trajnerit Claudio Ranieri, që entuziazmoi sërish tifozët me suksesin e fundit ndaj Newcastle. Në të vetmen goditje në portë që rezervoi mbrëmjen e së hënës, Leicester ia doli të festojë plot stil me golin sensacional të Shinji Okazaki.

Ky aksion ndjek trendin e të gjithë sezonit për ekipin me bazë në “King Power” pasi ka shënuar në 14% të goditjeve e përkthyer ndryshe në 52 gola, dhe në këtë shifër nuk futen ato që ka shënuar skuadra rivale si autogol.
 
Leicester konfirmohet ekipi më efikas ndërsa në vendin e dytë për mesataren e finalizimeve është Everton, skuadër që në renditje ndodhet në mesin e artë dhe jo në kupat europiane. “Toffees” kanë realizuar 48 gola në 387 goditje, një mesatare prej 12% që më së shumti i dedikohet formës së mirë të sulmuesit belg Romelu Lukaku.

Në renditjen virtuale të Premier Ligës, Aston Vila ndodhet në vendin e fundit për mesataren e realizimeve krahasuar me mundësitë. Ky ekip ka shënuar vetëm 19 gola dhe jo më kot mban vendin e fundit, dhe thuajse është i rënë një kategori më poshtë.

Top Channel