Europa League vjen me supersfidën Liverpul-Mançester

10/03/2016 11:50

Sot luhen ndeshjet e para të fazës së 1/8 të finaleve të Europa League. Në orën 19:00 ndeshja që tërheq vëmendjen më të madhe është ajo mes Borusias së Dortmundit dhe Totenhemit, një përballje kjo që nuk është parë kurrë më parë në arenën evropiane. Të dyja skuadrat po përjetojnë situtata të ngjashme në kampionatet respektive.

Të dyja janë në vendin e dytë në Bundesligë e Premier League dhe që të dyja të distancuara nga kryesuesit me 5 pikë. Ndryshimi mes tyre qëndron tek mungesat që ato do të kenë në këtë përballje të parë. Për Dortmundin do të mungojë vetëm Sokratis, ndërsa klubi londinez nuk do të ketë në përbërje Ali, Nxhie’, Vertongen, Roz dhe Klinton për arsye dëmtimi, ndërsa Dier është lënë pushim.

Sevija, që është fituesja në fuqi e Europa League, do të udhëtojë drejt Zvicrës për t’u përballur me Bazelin, me skuadrën spanjolle që nuk do të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si Kriçovjak apo Rejes. Në orën 19:00 do të luhen edhe ndeshjet Fenerbahçe-Sporting Braga dhe Shaktjor-Anderleht.

Në orën 21:05 është rezervuar edhe derbi britanik mes Liverpulit dhe Mançester Junajtid. Në “Anfield” do të përplasen skuadrat më të suksesshme në Angli, por që këtë sezon janë në pozita jo shumë komode. Të dyja këto skuadra, që për momentin renditen në vendin e 6 dhe të 7 në kampionat, synojnë që t’i shkojnë këtij aktiviteti deri në fund për të siguruar praninë në fazën e grupeve të Ligës së Kamppioneve sezonin e ardhshëm. Trajneri Jyrgen Klop nuk do të ketë në dispozicion për këtë ndeshje Gomes, Ings dhe Rositer, ndërkohë që te “Djajtë e Kuq” mungesat janë akoma më të rëndësishme. Van Gaal do të duhet të bëjë pa shërbimin e Runi, Kin, Shou, Jang dhe Xhons, të gjithë për arsye dëmtimi, ndërkohë që në dyshim janë Valencia e Shvajnshtajger.

Europa League ka rezervuar një tjetër euroderbi, që është ai spanjoll mes Atletik Bilbaos dhe Valencias, ku më e favorizuar duket skuadra baske e Ernesto Valverdes. Në orën 21:05 do të luhet një tjetër ndeshje shumë interesante ajo mes Vijarrealit dhe Bajer Leverkusenit, ndërkohë që Sparta e Pragës do të presë të vetmin ekip italian që ka mbetur ne Europa League, Lacion.

Top Channel