Joshi dhe kreu seks me të mitur, futbollisti anglez dënohet me burg

02/03/2016 18:35

Adam Johnson është zyrtarisht një ish-futbollist. Mesfushori i krahut i Sunderland dhe i kombëtares angleze, u gjet fajtor për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe rrezikon të kalojë pas hekurave deri në 10 vite.

Ndaj Johnson, aktualisht 28 vjeç, hetimet nisën një vit më parë pasi dyshohej në të paktën 4 raste për marrëdhënie me të mitur.

Në atë kohë ai do të mohonte të gjitha akuzat dhe do të vazhdonte karrierën e tij tek Sunderland duke arkëtuar 3 milionë paund në 11 muaj. Në përfundim të hetimeve dhe me nisjen e procesit ndaj tij një muaj më parë, 28-vjeçari do të përjashtohej nga klubi.

Nga katër rastet e dyshuara, Johnson u gjet fajtor vetëm në njërin prej tyre, ku gjyqtarja e çështjes e akuzoi se kishte përfituar nga statusi i tij si futbollist për të joshur dhe më pas kryer marrëdhënie seksuale me të mitur.

“Duhet të jesh i qartë se burgu është i pashmangshëm për ty”, deklaroi në seancën përfundimtare gjyqtarja e çështjes.

Vepra me të cilën akuzohet Johnson ndëshkohet sipas ligjeve angleze nga 5 deri në 14 vite burgim. Ndaj ish-futbollistit vendimi përfundimtar pritet të jepet brenda 3-4 javëve.

Top Channel