Shoqërohet Visar Ymeri, akuzohet për sulm ndaj një deputeti në vitin 2012

02/03/2016 00:00

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës ka shoqëruar kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nga banesa e tij për në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me një debat të konsideruar sulm ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në vitin 2012.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se, me këtë veprim është realizuar një urdhëresë e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti ka specifikuar detyrimin për policinë, që ta dërgojë të pandehurin V.Y. në objektin e Pallatit të Drejtësisë, ku ndodhet Gjykata Themelore më 02.03.2016, në orën 09:30”, thuhet në komunikatë.

Shoqërimi i Ymerit nga policia ka ndodhur pasi, për rastin në fjalë, kreu i Vetëvendosjes nuk ka përfillur ftesat e gjykatës dhe për shkak të rrezikut të vjetërimit të lëndës.

Në këtë gjykim, kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri, deputeti Rexhep Selimi dhe ish-deputeti i kësaj force politike Florin Krasniqi, akuzohen për debate dhe sulm ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Në Gjykatë ndodhet edhe deputeti Rexhep Selimi.

Top Channel