Dy futbollistë të ngujuar nga gjakmarrja

28/02/2016 13:20

Një vrasje e ndodhur gabimisht mes dy fqinjësh në Shkodër, ka ngujuar në shtëpi dy të rinj, të dy futbollistë. 19-vjeçari Uendi Vecaj, futbollist i Vllaznisë dhe kushëriri i tij, Stivi Vecaj, lojtar i ekipit të Adës së Velipojës, prej disa ditësh nuk shkojnë më në stërvitje.

Uendi mungoi në stolin e ekipit kur Vllaznia u përball me Laçin, ndërsa Stivi e ndoqi ndeshjen në dhomën e tij. Ngujimi është për shkak të gjakmarrjes, edhe pse lidhja që ata kanë me autorin e vrasjes është shumë e largët. Por, në Shkodër, Kanuni është ende i gjallë.

Futbollisti i Adës, Stivi Vecaj deklaron: “Kam ndenjur vetëm në shtëpi që nga ajo ngjarje. Nuk kam shkuar në stërvitje dhe as në ndeshje. E kam 4 breza larg si kushëri, por duhet respektuar Kanuni”.

Dy kushërinjtë nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen, por frika e Kanunit, trashëguar brez pas brezi, i bën të ngujohen. Për Stivin, stadium është dhoma e tij.

“Në shtëpi stërvitem, me ato çfarë mund të të ofrojë shtëpia. E përdor si palestër”, shpjegon Stivi.

E vetmja shpresë vjen sërish nga Kanuni. Sipas ligjit të vjetër, është edhe falja. Vetëm pas kësaj, Stivi dhe Uendi mendojnë se mund t’i kthehen futbollit.

Top Channel