Kosovë, maskat sulmojnë zyrat e LDK-së në 6 qytete

28/02/2016 00:00

Mbrëmjen e së shtunës, persona të panjohur kanë sulmuar 7 zyra të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy në Prishtinë, një në Gjilan, një në Istog, një në Pejë, një në Gjakovë dhe të fundit në Mitrovicë.

Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarët për Informim në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar se, në të gjitha rastet e dëmtimit të pasurisë ndaj partisë LDK janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, duke mos dhënë më shumë detaje. Sipas policisë, aktualisht po zhvillohen hetime për identifikimin e personave të dyshuar.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, njëherazi ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka dënuar dhunën ndaj partisë së tij, duke shtuar se sulmet janë kryer nga persona të maskuar. Abrashi theksoi se, dëmi më i madh është tentativa e instalimit të dhunës në vend.

“Ne jemi dëshmitarë të dhunës prej 6 muajsh, dhunë që ka tejkaluar kufijtë normalë. Kemi gaz lotsjellës, kemi sulm ndaj personave zyrtarë, ndërsa tani kemi edhe sulm ndaj një partie shtetformuese politike. Nuk dua ta drejtoj gishtin nga askush. Tashmë dihet se maskat janë bërë pjesë e përditshmërisë në diskursin tonë dhe jetën tonë publike. Nuk dua të drejtoj gishtin nga askush, por ata që po ndjellin dhunë, realisht edhe e kanë organizuar këtë”, tha Arban Abrashi, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës i ka cilësuar sulmet, si shenja të hapura të një tentative për shantazh dhe ardhje në pushtet me dhunë, nga një segment i dështuar politik. Dy ditë më parë është djegur edhe selia e PDK-së në Deçan, nga persona të panjohur.

Top Channel