Partizani ngec në Pukë, Kukësi shpartallon Flamurtarin

27/02/2016 15:55

Partizani lë t’i shpëtojë nga duart mundësia për të parakaluar Skënderbeun në renditje, të paktën për momentin.

Skuadra e drejtuar nga Agostinelli nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në ndeshjen në luajtur në Pukë ndaj Tërbunit të vendit të fundit, duke marrë vetëm 1 pikë.

Partizani luajti me 10 futbollistë në pjesën e dytë të takimit, pas ndëshkimt me karton të kuq të Bicajt, megjithatë kryeqytetasit i patën mundësitë për shënim, por që nuk u shfrytëzuan siç duhet prej tyre, kjo edhe për meritë të portierit Haxho, që bëri disa ndërhyrje të mira në këtë takim.

Nuk pati fitues as në sfidën e luajtur në “Selman Stërmasi” mes Tiranës dhe Teutës. Edhe kjo përballje përfundoi me barazimin 0-0, me Tiranën që meritonte diçka më shumë, duke qenë se u përpoq për fitoren e ndeshjes. Ky barazim e lë të pandryshuar situatën e të dyja skuadrave në klasifikim, me Tiranën që ruan vendin e tretë me 39 pikë, ndërsa Teuta është një shkallë më poshte me 38 pikë.

Rezultati 0-0 u pa edhe në ndeshjen e luajtur në impiantin‘Reshit Rusi’ të Shkodrës, mes Vllaznisë dhe Laçit. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu nuk mundi dot të marrë më shumë se 1 pikë nga kjo ndeshje, edhe pse mundësitë i pati.

E vetmja ndeshje që pati gola ishte ajo e luajtur në stadiumin ‘Zeqir Ymeri’ mes Kukësit dhe Flamurtarit me skuadrën e Klodian Duros që e shkatërroi vlonjatët me rezultatin 4-0. Emini hapi serinë e golave në këtë ndeshje për Kukësin, ndërkohë që Edon Hasani shënoi 2 herë të tjera për ta çuar rezultatin në 3-0. Flores vulosi shifrat 4-0 për Kukësin. Për t’u theksuar është se Flamurtari e mbylli sfidën me 9 lojtarë, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Lushtakut dhe Cerkinit.

Top Channel