Maqedoni, zgjedhjet do shtyhen. Ambasadorët e SHBA e BE: S’ka kushte

21/02/2016 21:40

Në Maqedoni nuk janë plotësuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve të besueshme dhe demokratike më 24 prill, siç ishte parashikuar me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ky është vlerësimi i ambasadave të SHBA-së dhe vendeve të BE-së në Shkup.

“Kemi nënvizuar se puna e deritanishme e Komisionit shtetëror zgjedhor dhe përfundimet e të gjithë ekspertëve relevantë, tregojnë se në këtë fazë nuk janë krijuar kushtet e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të besueshme më 24 prill, megjithëse  është shënuar pak progres në këtë drejtim. Njëkohësisht, akoma nuk është arritur marrëveshje për reformat në media për të siguruar kushte më të barabarta për garë. Gjithashtu jemi të shqetësuar për rastet e para të raportimit të presionit dhe frikësimit të votuesve”, shprehet Jass Baily, ambasadori amerikanë në Shkup.

Në raportin e SHBA-ve dhe BE-së thuhet se nëse zgjedhjet nuk mund të organizohen në datën e parashikuar, partitë duhet të punojnë për mbajtjen e tyre në një datë tjetër, duke respektuar plotësisht obligimet për zgjedhje demokratike.

“Jemi në dijeni që liderët partiak kanë përmendur datën 5 qershor si alternativë të mundshme. Tani nevojiten përpjekje serioze nga të gjithë faktorët për të siguruar kushte që do të mundësonin proces të besueshëm zgjedhor në të cilin të gjithë qytetarët dhe partitë do të merrnin pjesë lirshëm”, ka thënë ambasadori amerikan në Shkup.

Raportin e tyre për zgjedhjet diplomatët e huaj ia kanë dorëzuar Kryeministrit të qeverisë teknike Emil Dimitriev, kurse paraprakisht, kanë thirrur një takim urgjent me krerët e katër partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH për të prezantuar vlerësimin e tyre për zgjedhje. Këtë takim e ka bojkotuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Top Channel