F1, Bahreini nis përgatitjet për garën e dytë të Botërorit

19/02/2016 11:40

Në Bahrein kanë nisur përgatitjet për Botërorin e Formulës 1 të vitit 2016. Gara që do të zhvillohet në pistën e Sakhirit në muajin prill është e dyta në kalendarin e këtij viti dhe për të tretin vit radhazi ajo do të mbahet nën dritën e prozhektorëve.

Drejtori i pistës së Bahreinit, Sharif Mahdi, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se është i kënaqur që ky vend pret garën e dytë të kampionatit të Formulës 1, kur në total janë 21 gara për t’u zhvilluar gjatë këtij viti.
 
“Ky është një vit special për ne sepse në Bahrein do të zhvillohet gara e dytë e Botërorit të Formulës 1. Mendoj se ky aspekt do të na japë mundësinë për të organizuar një garë fantastike dhe interesante“, tha Mahdi.

Bahreini është i pari vend i Lindjes së Mesme që organizon një garë të Formulës 1 dhe sipas presidentit të cirkuitit, Isa Al-Khalifa, kjo ka pasur një impakt pozitiv në reputacionin e këtij shteti. Në të njëjtën kohë, Al-Khalifa deklaroi se është shumë i kënaqur që kjo garë do të zhvillohet në orët e mbrëmjes.

Ndërkaq, sezoni i ri i Formulës 1 do të nisë me garën e Australisë, në 20 mars.

Top Channel